
Është arrestuar në Fier autori i dyshuar i krimit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhymë të Lushnjës.
Shtetasi F. D., 45 vjeç, u kap nga shërbimet e Policisë pas kontrolleve të zhvilluara për lokalizimin e tij. Ai ishte larguar menjëherë nga banesa pas sulmit ndaj prindërve dhe ishte shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20, brenda banesës së familjes. Për motive ende të paqarta, 45-vjeçari dyshohet se goditi me një sqepar nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, dhe babanë, shtetasin H. D., 77 vjeç.
E moshuara nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe humbi jetën. Bashkëshorti i saj u transportua në spital me dëmtime të rënda dhe vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Pas sulmit, i dyshuari u largua nga banesa dhe u drejtua drejt Fierit, ku u lokalizua dhe u prangos nga forcat e Policisë.
Sipas informacionit paraprak të autoriteteve, 45-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kjo rrethanë do të verifikohet gjatë hetimit dhe përmes ekspertizave përkatëse.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar motivet, dinamikën dhe të gjitha rrethanat e krimit brenda familjes.






