Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat gjashtë vijojnë aktive, ndërsa 10 të tjera mbahen nën mbikëqyrje.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse.

Operacionet janë mbështetur nga Forcat e Armatosura me 60 efektivë, tri automjete zjarrfikëse, një ekskavator të rëndë me zinxhir, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.

Ndërhyrjet vijojnë në disa qarqe, me fokus të veçantë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.

Në Malin e Dajtit po punohet për shuarjen e vatrave që mbeten aktive, por sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun të Bashkisë Pukë, operacioni ka vijuar me forca vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Gjatë ditës janë dislokuar 40 efektivë të tjerë dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri. Situata është vënë nën kontroll dhe banesat nuk rrezikohen. Vatra në Prozhëm mbetet aktive dhe po punohet për izolimin e saj.

Në qarkun e Dibrës vijojnë aktive zjarret në Ballenjë dhe Qafë të Helmës, ndërsa vatra në Bërshi mbahet nën mbikëqyrje.

Në Mirditë mbetet aktive vatra në Shtuf. Zjarret në Lufaj dhe Tenë janë izoluar, por zonat vijojnë të monitorohen për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu