Prokuroria Themelore në Gjakovë ka zbardhur detaje të reja për ngjarjen e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua shtatzënë humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri.

Sipas Prokurorisë, i dyshuar për vrasjen është bashkëshorti i viktimës. Edhe ai ka marrë plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në gjendje kritike për jetën.

“Një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftim.

Viktima ishte shtatzënë në javën e 34-t. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi mjekësor, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Bashkëshorti i saj është i intubuar dhe mbahet në respirator. Sipas mjekëve, gjendja e tij është shumë e rëndë dhe e paqëndrueshme.

Çifti ishte gjetur i plagosur brenda dhomës së gjumit, ndërsa në vendngjarje Policia sekuestroi një armë zjarri.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të tij, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti po hetohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe sigurimin e provave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu