
Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit. Deri në orën 14:00 të kësaj të enjteje janë regjistruar 10 vatra zjarri, 7 prej të cilave mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 9 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura janë përfshirë me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive ndodhen në Dajt, Lufaj, Tërbun–Gojan–Gjegjan, Gjorm të Sipërm, Tunjë të Re dhe Rraja e Velës.
Situata më problematike paraqitet në zonën e Gojanit dhe Gjegjanit në Pukë, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa në operacion janë angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt është regjistruar një riaktivizim i zjarrit. Në terren ndodhen 30 efektivë të FA-së, 13 forca zjarrfikëse dhe 9 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ndërsa nga ajri po ndërhyn një helikopter. Nuk ka rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët, ndërsa vijon ndërhyrja e Shërbimit Pyjor dhe zjarrfikësve.
Ndërkohë, vatrat në Gurë-Lurë dhe Qafë Helmes janë nën monitorim. Situata në këto zona paraqitet e stabilizuar dhe pa rrezik për banesat.






