Hetimet për vrasjen e turistit portugez në Ksamil janë zgjeruar, duke çuar në arrestimin e 11 personave, mes të cilëve dy punonjës policie dhe një punonjës burgu. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas të dhënave të raportuara, tre punonjësit e shtetit janë Moisid Matushaj, efektiv i Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, dhe Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit.

Ata dyshohet se kanë qenë të angazhuar me detyra sigurie në ambientet ku nisi konflikti dhe se nuk kanë ndërhyrë për ta parandaluar atë. Gjithashtu, dyshohet se pas ngjarjes nuk kanë njoftuar autoritetet.

Ndaj personave të përfshirë rëndojnë, sipas rastit, akuzat për “përkrahje të autorit të krimit”, “moskallëzim të krimit” dhe “mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në Ksamil. Turisti portugez u vra me thikë pas një konflikti, ndërsa si autor i dyshuar është arrestuar Sokrat Vata. Ai u kap disa orë pas krimit në aksin Levan–Fier, i fshehur në bagazhin e një automjeti.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu