
Meta del në gjyq në Shtetet e Bashkuara për akuza se ka projektuar qëllimisht Facebook-un dhe Instagram-in për të krijuar varësi te fëmijët dhe adoleshentët, ndërsa dyshohet edhe për shkelje të ligjeve që mbrojnë privatësinë e të miturve.
Çështja po shqyrtohet në një gjykatë federale në Kaliforni dhe konsiderohet një nga betejat më të mëdha ligjore me të cilat është përballur gjiganti i rrjeteve sociale. Katër shtete – Kalifornia, Kolorado, Kentaki dhe Nju Xhersi – do të paraqesin çështjen në emër të një koalicioni prej 29 shtetesh amerikane që ngritën padinë në vitin 2023.
Shtetet kërkojnë miliarda dollarë dhe ndryshime në mënyrën se si funksionojnë Instagram dhe Facebook. Në qendër të akuzave janë mekanizma si videot që nisin automatikisht, “scroll”-i i pafund, njoftimet e shpeshta, “Stories” dhe numërimi i pëlqimeve, të cilat sipas padisë janë përdorur për t’i mbajtur të rinjtë sa më gjatë përpara ekranit.
Meta akuzohet gjithashtu se ka mbledhur dhe përdorur në mënyrë të parregullt të dhënat personale të fëmijëve dhe se ka keqinformuar publikun për sigurinë e platformave të saj.
Prokurori i Përgjithshëm i Kentakit, Russell Coleman, e ka cilësuar çështjen si “padinë më të madhe për mbrojtjen e konsumatorit në historinë amerikane”.
Gjyqi pritet të zgjasë gjashtë deri në tetë javë dhe mes dëshmitarëve pritet të jetë edhe drejtuesi i Meta-s, Mark Zuckerberg.
Kompania i mohon akuzat. Meta deklaron se provat do të tregojnë angazhimin e saj afatgjatë për mbrojtjen e të rinjve dhe përmend kontrollet prindërore, masat e sigurisë dhe vendosjen private si standard për llogaritë e adoleshentëve.
Presioni ligjor ndaj kompanisë është rritur ndjeshëm. Meta përballet me mijëra padi në SHBA për çështje të sigurisë së fëmijëve, ndërsa në mars një juri në Los Angeles arriti në përfundimin se Meta dhe Google kishin ndërtuar platforma që krijonin varësi dhe kishin dëmtuar shëndetin mendor të një të reje.






