
Hetimet për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil janë zgjeruar, ndërsa sipas raportimeve policia ka firmosur 12 urdhër-arreste për personat që dyshohet se kanë lidhje me krimin dhe veprimet e kryera pas tij. Në kërkim është shpallur edhe Bekim Bulica, i raportuar si pronari i lokalit “Principotes”, ku ndodhi ngjarja.
Turisti portugez u vra me thikë në orët e para të mëngjesit pas një konflikti në ambientet e “Principotes”. I dyshuari kryesor për vrasjen është 29-vjeçari Sokrat Vata, i cili punonte si truprojë. Paraprakisht dyshohet se konflikti nisi për një vajzë.
Viktima kishte mbërritur në Ksamil me një grup miqsh dhe kishte marrë pjesë në një festë në klubin “La Guerre”, pjesë e kompleksit. Sipas raportimeve, Luis Miguel Varela Mendes është goditur disa herë me thikë në shpinë dhe kraharor.
Pas krimit, Vata u largua nga Ksamili, por arratisja e tij përfundoi rreth pesë orë më vonë në Levan të Fierit. Policia e gjeti të fshehur në bagazhin e një automjeti ku ndodheshin dy shtetas turq.
Dy turqit kanë deklaruar para hetuesve se ishin klientë të “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin si truprojë dhe shoqërues personal. Sipas versionit të tyre, e kishin marrë Vatën në automjet për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të. Roli i tyre në ngjarje po verifikohet nga hetuesit.
Hetimi ka përfshirë edhe efektivë policie. Në pranga ka përfunduar Moisid Matushaj, inspektor pranë strukturave të kufirit në Gjirokastër. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen dhe më pas ka ndihmuar Vatën të largohej nga vendngjarja.
Sipas raportimeve, Matushaj dhe Vata punonin gjithashtu si truproja për kompaninë private “Elite Security Group”, me administrator Mario Katiraj.
Një tjetër zhvillim lidhet me Bekim Bulicën, i cili është shpallur në kërkim dhe raportohet si pronari i “Principotes”. Vetë aktiviteti rezulton i regjistruar në emër të nënës së tij, Kade Bulica, 70 vjeçe.
Sipas të dhënave të publikuara, Bekim Bulica ka pasur më parë probleme me drejtësinë. Ai është ekstraduar nga Franca në Shqipëri në vitin 2021, pasi ishte shpallur në kërkim për akuzat “Kanosje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, lidhur me një ngjarje në Kukës.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu dyshimet se pas vrasjes mund të jenë ndërmarrë veprime për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të ndihmuar autorin të largohej. Sipas raportimeve, për çështjen janë firmosur 12 urdhër-arreste, ndërsa pritet një njoftim i plotë i Policisë për personat e tjerë të përfshirë dhe akuzat ndaj tyre.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të rindërtuar minutë pas minute atë që ndodhi në “Principotes”, nga konflikti që përfundoi me vrasjen e turistit portugez deri te largimi dhe kapja e autorit të dyshuar.






