Është arrestuar Sokrat Vata, 29-vjeçari i dyshuar për vrasjen me thikë të turistit francez Miguel Mendes në Ksamil. Ai u kap në zonën e Levanit, në Fier, disa orë pas krimit.

Sipas të dhënave të raportuara, Vata u lokalizua gjatë kontrolleve të policisë, pasi ishte larguar nga Ksamili menjëherë pas ngjarjes.

Miguel Mendes, rreth 20 vjeç, u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15 të mëngjesit në shezlongët e një plazhi në Ksamil. I riu kishte ardhur për pushime së bashku me një grup turistësh francezë.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se viktima ishte goditur disa herë me thikë në shpinë dhe kraharor. Plagët e marra dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia dyshon se krimi ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Ndërkohë, burime pranë hetimit bëjnë të ditur se po verifikohet edhe pista që konflikti të ketë nisur për një femër.

29-vjeçari nga Hasi punonte si roje plazhi në Ksamil. Ai rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe ndaj tij ka pasur një vendim fajësie nga një gjykatë në Angli për trafik droge.

Pas arrestimit të tij, hetimet vijojnë për të rindërtuar dinamikën dhe për të përcaktuar motivin e plotë të vrasjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu