
Policia ka arrestuar Argys Kalsin, 35 vjeç, banues në Laç, i dyshuar si një nga autorët e grabitjes së argjendarisë në Kamëz, më 5 gusht.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit “Gold”. Sipas hetimeve, Argys Kalsi, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, dyshohet se grabiti një sasi bizhuterish dhe më pas u largua me motor.
Gjatë hetimeve, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, dy maska silikoni, një skafandër motoçiklete, doreza dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
Ndërsa pranë Liqenit të Qinamit u gjet edhe motori që dyshohet se autorët përdorën për t’u larguar pas ngjarjes.
Policia vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.






