
Zjarri i rëndë në hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës ka vënë në lëvizje institucionet. Kontrollet në strukturat akomoduese do të intensifikohen në të gjithë vendin, me fokus të veçantë te masat kundër zjarrit dhe siguria e pushuesve.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes online të Task Forcës Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik 2026, të drejtuar nga ministri Blendi Gonxhja.
Në sitën e kontrolleve do të jenë kushtet teknike të hoteleve, sistemet e mbrojtjes nga zjarri, daljet e emergjencës, sinjalistika dhe planet e evakuimit. Institucioneve përgjegjëse u është kërkuar gjithashtu koordinim më i fortë në terren dhe ndërhyrje e menjëhershme për problematikat që konstatohen.
“Siguria e pushuesve dhe respektimi i standardeve janë prioritet absolut”, deklaroi Gonxhja, ndërsa paralajmëroi edhe masa ndaj strukturave që nuk respektojnë standardet e kërkuara.
Kontrollet pritet të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit turistik, veçanërisht në destinacionet me fluks të lartë vizitorësh.
Masat vijnë pas zjarrit që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës. Sipas të dhënave të raportuara, gjashtë pushues mbetën të plagosur, pesë prej tyre nga Kosova dhe një nga Rrësheni. Disa prej personave të bllokuar u detyruan të hidheshin nga ballkonet për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit.
Një vajzë pësoi djegie të rënda dhe vijon trajtimin në QSUT.
Sipas Policisë, dyshimet paraprake janë se zjarri nisi nga djegia e prizës së një frigoriferi në restorantin e hotelit, përpara se flakët të përhapeshin në pjesën tjetër të godinës.






