
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, duke lënë shtatë persona të plagosur dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Momente dramatike janë regjistruar gjatë zjarrit, pasi disa persona janë detyruar të dalin dhe të hidhen nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në lokalin që ndodhej në katin e parë të godinës. Dyshohet se dy frigoriferë të vendosur pranë hyrjes së lokalit mund të kenë pësuar një defekt elektrik, duke shkaktuar zjarrin. Kjo mbetet një pistë paraprake dhe shkaku përfundimtar pritet të përcaktohet nga hetimet.
Flakët janë përhapur me shpejtësi drejt katit të dytë, ku ndodhej një hotel, si dhe në fasadën e pallatit. Policia dhe shërbimet zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, ndërsa godina u evakuua për shkak të rrezikut.
Bilanci është i rëndë. Shtatë persona janë plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Vlorës. Tre prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa katër të tjerë ndodhen në sallën e operacionit.
Gjashtë nga të dëmtuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa personi i shtatë është nga Rrësheni. Në godinë ndodheshin gjithashtu turistë të huaj, mes tyre shtetas polakë dhe ukrainas.
Situata është bërë veçanërisht dramatike gjatë përhapjes së flakëve dhe tymit. Disa persona kanë dalë nga dritaret dhe janë detyruar të hidhen për t’i shpëtuar zjarrit, ndërsa të tjerë kanë arritur të evakuohen përmes rrugëve të tjera të daljes.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, godina ka pësuar dëmtime shumë të rënda dhe është shkrumbuar thuajse plotësisht.
Pas lokalizimit të flakëve, Policia dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ekspertiza pritet të përcaktojë nëse zjarri është shkaktuar nga një defekt elektrik, ndërsa po dokumentohet edhe shkalla e dëmeve materiale.






