
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar për hetimin dhe masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH Vlora Hyseni duke deklaruar se mazhoranca nuk do të bëhet “avokate mbrojtëse” e askujt.
Balla tha se nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes së SPAK duke argumentuar se ky është standardi që Partia Socialiste ka ndjekur edhe në çështje të tjera. Sipas tij çdo zyrtar ndaj të cilit vendoset një masë që kufizon lirinë duhet ta kundërshtojë atë në gjykatë.
“PS nuk është avokate mbrojtëse e askujt”, deklaroi Balla ndërsa ngriti edhe çështjen e përdorimit të masave të arrestit përpara një vendimi përfundimtar të gjykatës.
Ai kërkoi që SPAK të zhvillojë një hetim të pandikuar për çështjen Hyseni dhe tha se socialistët mbështesin punën e Prokurorisë së Posaçme. Balla iu drejtua edhe opozitës duke e akuzuar se nga njëra anë përshëndet hetimet e SPAK ndërsa nga ana tjetër sulmon prokurorët e posaçëm.
“Ndërkohë që ata që fërkojnë duart nga sukseset e reformës në drejtësi duhet të mos harrojnë që është PS që e mori angazhimin”, tha Balla duke iu referuar reformës në drejtësi dhe votimit të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016.
Balla foli edhe për reformën administrativo-territoriale. Ai kërkoi që propozimi i Partisë Demokratike të kalojë fillimisht për konsultim në këshillat bashkiakë ndërsa nuk konfirmoi nëse mazhoranca do ta votojë draftin më 8 tetor. Sipas tij kjo do të varet nga përfundimi i procedurave në Komisionin e Ligjeve.






