
Këshilltarët socialistë dhe demokratë në Selenicë kanë lënë mënjanë ndasitë politike dhe janë bashkuar kundër propozimit të Reformës Territoriale që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Vlorën.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Bashkiak i Selenicës doli me një qëndrim të përbashkët kundër shkrirjes së bashkisë. Të gjithë këshilltarët, si të mazhorancës ashtu edhe të opozitës, kundërshtuan projektin.
Sipas tyre, Selenica duhet të vazhdojë të funksionojë si bashki më vete, ndërsa bashkimi me Vlorën do të dëmtonte përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.
Qëndrimit të Këshillit Bashkiak iu bashkua edhe kryebashkiaku Nertil Bellaj. Ai deklaroi se Selenica nuk duhet të shkrihet dhe se kundërshtimi ndaj propozimit do të vazhdojë edhe në rrugë institucionale.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme morën pjesë gjithashtu kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë, të cilët mbështetën qëndrimin kundër bashkimit me Vlorën dhe u shprehën të gatshëm të përkrahin nismat për ruajtjen e bashkisë.
Kundërshtimi i Selenicës i shtohet reagimeve që propozimet për hartën e re territoriale kanë shkaktuar në disa bashki të vendit.






