Dhjetë vatra zjarri mbeten aktive në Shqipëri, ndërsa situata më problematike paraqitet në Lurë të Dibrës, ku qindra forca dhe mjete ajrore po vijojnë operacionin për vendosjen e flakëve nën kontroll.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë orëve të fundit janë ndjekur 13 vatra zjarri në të gjithë vendin. Prej tyre, 10 janë aktive, dy janë nën kontroll dhe një është shuar plotësisht.

Në Lurë operojnë 200 forca bashkiake, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 18 vullnetarë. Në dispozicion janë gjithashtu dy automjete zjarrfikëse dhe dy avionë Air Tractor.

Ndërhyrja ka mundësuar kontrollin e zjarrit në segmentin pranë banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, në zonën Bulqizë-Selishtë, ku një pjesë e zjarrit është vënë nën kontroll.

Në Tiranë vijon puna në Malin e Dajtit me forca të ADZM-së dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Në Priskë dhe Farkë janë angazhuar 30 forca zjarrfikëse dhe gjashtë mjete, ndërsa situata raportohet nën kontroll dhe pa rrezik për banesat.

Ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë vijuar edhe në Krujë, në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Pas ndërhyrjes së helikopterit në Zidoll, situata është normalizuar dhe po punohet për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Operacionet dhe monitorimi vijojnë gjithashtu në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në zonat e raportuara aktualisht nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe banesave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu