Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë të ditur se deri në orën 14:00 të kësaj të mërkure, 9 vatra mbeten aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë.

Mbi 450 forca rezultojnë të angazhuara vetëm në vatrat ku janë raportuar shifra të plota të personelit. Operacionet nga toka mbështeten nga 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Një nga situatat më problematike paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar mbi 220 forca nga zjarrfikësit, bashkia, Policia, Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të emergjencave. Dy avionë Air Tractor po ndërhyjnë nga ajri, ndërsa zjarrfikësit janë pozicionuar pranë banesave që mund të ekspozohen ndaj flakëve.

Në Dajt vijon ndërhyrja mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku po operojnë edhe dy helikopterë. Forca të tjera janë vendosur në Priskë të Madhe, por aktualisht nuk raportohen banesa në rrezik.

Në Krujë, zjarri vijon në lagjet Abaze dhe Bojë. Në këtë të fundit janë evidentuar dy vatra dhe një helikopter po ndërhyn nga ajri, me prioritet mbrojtjen e banesave.

Në Drenie të Patosit vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar, me përforcimin edhe të 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Vatra aktive ka gjithashtu në malin e Nëmerçkës dhe Malin Dhëmbel në Përmet, ndërsa zjarri në Malin e Moravës në Devoll është izoluar dhe po mbahet nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe banesave, si dhe izolimi i plotë i vatrave të zjarrit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu