Policia e Himarës ka goditur një rast të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në një lokal nate në plazhin e Potamit, duke arrestuar pronarin e subjektit dhe banakierin.

Operacioni i koduar “Late-night” u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga policia se në ambientet e lokalit shiteshin lëndë narkotike.

Gjatë ndërhyrjes u arrestuan në flagrancë pronari i lokalit, M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, dhe banakieri A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat.

Sipas policisë, gjatë kontrollit fizik të 20-vjeçarit u gjetën 5 doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe 8 doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa.

Hetimet vijuan edhe në banesën e pronarit të lokalit, ku policia thotë se sekuestroi 145 doza të tjera me lëndë të dyshuar kokainë, një peshore elektronike, si dhe një pistoletë sportive që dyshohet se mbahej pa leje.

Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 150 doza të dyshuara kokainë, krahas kanabisit dhe sendeve të tjera.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu