
Shqipëria po përjeton këtë të mërkurë kulmin e valës së të nxehtit, me temperaturat që në zonat më të nxehta të vendit pritet të arrijnë deri në 41-42 gradë Celsius.
Elbasani dhe Berati janë ndër qytetet ku termometri pritet të shënojë vlerat më të larta, ndërsa temperatura mbi 40 gradë parashikohen edhe në zona të tjera të ultësirës perëndimore. Edhe Tirana do të përballet me temperatura shumë të larta gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vendi ndodhet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe shumë të nxehta. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, ndërsa vranësira të pakta dhe kalimtare mund të shfaqen në zonat malore gjatë pjesës së dytë të ditës.
E mërkura, 12 gusht, konsiderohet dita më e nxehtë e kësaj vale, me temperatura që në zona të veçanta mund t’i afrohen 42 gradëve Celsius në hije.
Vapa nuk pritet të largohet menjëherë. Temperaturat do të mbeten të larta edhe gjatë ditëve në vijim, megjithëse pritet të ketë një zbutje të lehtë krahasuar me kulmin e kësaj të mërkure.
Në kushtet e temperaturave ekstreme rekomandohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve më të nxehta, konsumimi i shpeshtë i ujit dhe përdorimi i veshjeve të lehta.
Kujdes i veçantë kërkohet për të moshuarit, fëmijët dhe personat më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta, për shkak të rrezikut të dehidratimit dhe goditjes nga nxehtësia.






