Kolumbia në zi pas tërmetit me magntiudë  7.4, të paktën 77 të vdekur! Fëmijë nën rrënojat e një spitali në Cali

Një tërmet i fuqishëm ka goditur Kolumbinë, duke shkaktuar dhjetëra viktima, shembje ndërtesash dhe dëme të mëdha në disa zona të vendit. Sipas bilancit paraprak të raportuar nga mediat, të paktën 77 persona kanë humbur jetën, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Situata më dramatike raportohet në Cali, ku pjesë të spitalit universitar janë shembur. Sipas Blu Radio, mes personave të bllokuar nën rrënoja dyshohet se ndodhen edhe disa fëmijë. Ekipet e emergjencës po punojnë për lokalizimin dhe nxjerrjen e tyre.

Bilanci më i rëndë deri tani është regjistruar në rajonin Risaralda, ku raportohen 42 viktima. Tre persona rezultojnë të zhdukur në Quibdó, ndërsa në Cali autoritetet kanë konfirmuar se ka njerëz nën rrënojat e të paktën 20 ndërtesave të shembura.

Tërmeti u regjistrua të hënën, më 10 gusht. Shërbimi Gjeologjik Kolumbian e vlerësoi magnitudën në 6.6, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, USGS, e përcaktoi në 7.4. Epiqendra ishte në Kolumbinë perëndimore, në një thellësi prej afro 100 kilometrash.

Lëkundjet u ndjenë fuqishëm në një pjesë të madhe të Kolumbisë, përfshirë Bogotán, por edhe jashtë kufijve, deri në Ekuador dhe Panama. Në kryeqytetin kolumbian disa ndërtesa u evakuuan.

Presidenti i Kolumbisë, De la Espriella, shpalli gjendjen e fatkeqësisë kombëtare pas përmasave që mori katastrofa.

Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në infrastrukturën e transportit. Aeroportet e Pereira, Manizales, Quibdó, Armenia, Cartago dhe Buenaventura janë prekur nga tërmeti dhe fluturimet janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e kontrolleve për dëmtime strukturore.

Një tjetër lëkundje me magnitudë 4.6 është regjistruar më pas në zonën e Nóvit, në provincën Chocó.

Pamjet nga zonat e prekura tregojnë përmasat e dëmeve. Në Manizales, tërmeti ka dëmtuar rëndë edhe kullën e orës së katedrales historike.

Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të ndryshojë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu