
Situata e zjarreve mbetet problematike në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se deri në orën 20:00 të së dielës janë raportuar 8 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë. Gjashtë prej tyre vijojnë aktive, ndërsa dy janë nën kontroll ose monitorim.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 227 forca në terren, mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe një avion Air Tractor. Për vatrën në lagjen Boje të Krujës është kërkuar urgjentisht edhe angazhimi i 50 forcave ushtarake, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun e Tiranës, pranë fabrikës së ujit Selita në Dajt janë rishfaqur disa vatra, ku vijon ndërhyrja dhe monitorimi. Në Cikallesh të Kavajës zjarri është në rënie dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, ndërsa në Priskë të Madhe vijon puna për kontrollin e vatrave të vogla.
Në Fier, zjarri në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës është nën kontroll, ndërsa vijon puna për izolimin e plotë të vatrave. Edhe zjarri në Koilaç–Greshicë është izoluar dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Situata në Abaze të Krujës është stabilizuar, ndërsa kanë mbetur vetëm vatra të vogla me prush dhe tym. Një tjetër vatër në lagjen Boje ka kërkuar përforcime nga ushtria, pasi terreni e bën të vështirë ndërhyrjen.
Në Vilëz të Kurbinit zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe pyjore. Rreth 50 forca të strukturave vendore, zjarrfikësve, policisë dhe vullnetarëve janë angazhuar në terren. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndalur avancimin e flakëve, duke shmangur djegien e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se po monitoron në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të emergjencave.






