
Një 20-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti të përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit, pasditen e së shtunës në Korçë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, ku disa persona janë përfshirë në një konflikt.
Gjatë përplasjes është përdorur armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave ka humbur jetën J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14 të Korçës.
Policia njofton se, pas veprimeve të para hetimore dhe operative në vendngjarje, është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes. Ai është larguar menjëherë pas krimit dhe aktualisht është në kërkim.
Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, tre persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në konfliktin që përfundoi me vrasjen e 20-vjeçarit, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të sqaruar dinamikën dhe shkaqet e konfliktit, si dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë, ndërsa Policia pritet të japë informacione të tjera pas përfundimit të veprimeve të para në vendngjarje.






