Radhë kilometrike automjetesh janë krijuar mbrëmjen e kësaj të premteje në dy prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë-Elbasan dhe Tiranë-Durrës.

Situata paraqitet veçanërisht problematike në aksin Tiranë-Elbasan, para rrethrrotullimit të Bradasheshit, ku drejtuesit e mjeteve raportojnë se trafiku thuajse nuk lëviz. Një qytetare ka treguar për “Shekullin” se kishte rreth një orë e bllokuar në trafik, pa arritur të hynte në Elbasan.

Sipas saj, në kolonën e gjatë ndodhen edhe familje me fëmijë dhe të moshuar, ndërsa temperaturat vazhdojnë të jenë të larta. Qytetarja pretendon gjithashtu se në zonën ku ndodhej nuk kishte parë patrulla të Policisë Rrugore që të ndërhynin për menaxhimin e fluksit.

Trafik i rënduar raportohet edhe në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën pranë mbikalimit të Rinasit, ku është krijuar një tjetër kolonë e gjatë automjetesh.

Fluksi lidhet edhe me lëvizjet e shtuara të fundjavës, kur një numër i madh qytetarësh largohen nga Tirana drejt zonave bregdetare apo qyteteve të tjera. Situata të ngjashme përsëriten gjatë sezonit veror, veçanërisht në fundjavë dhe në ditët me fluks të lartë udhëtarësh.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu