Ndotja e plazheve, lumenjve dhe zonave bregdetare po rrezikon ambicien e Shqipërisë për t’u shndërruar në një destinacion kryesor turistik në Adriatik dhe Jon. Në një analizë të publikuar nga BIRN, theksohet se mbeturinat, inertet e ndërtimit dhe shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara po dëmtojnë cilësinë e mjedisit dhe imazhin e vendit.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, vitin e kaluar Shqipëria u rendit e fundit në Europë për cilësinë e ujërave të plazheve. Vetëm 16.8 për qind e tyre u klasifikuan me cilësinë “shkëlqyeshëm”, ndërsa 23 për qind u vlerësuan si “të dobëta”, një nivel shumë më i lartë se mesatarja evropiane.

Ambientalisti Olsi Nika e cilëson situatën si një nga dështimet më serioze të qeverisjes mjedisore, ndërsa kryetari i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve, Zak Topuzi, thekson se problemi lidhet kryesisht me shkarkimin e ujërave të zeza të patrajtuara, mungesën ose mbingarkesën e impianteve të trajtimit dhe urbanizimin e shpejtë të bregdetit pa infrastrukturën përkatëse.

Ekspertët argumentojnë se zgjidhja nuk është t’u transferohet barra bizneseve turistike, por të përshpejtohen investimet publike në rrjetet e kanalizimeve dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas analizës, rritja e shpejtë e turizmit po ushtron presion mbi një infrastrukturë që nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm zhvillimi. Specialistët paralajmërojnë se nëse ndotja nuk frenohet, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e saj konkurrues si destinacion turistik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu