
La Liga do të nisë sezonin 2026/27 me një revolucion në rregullat e lojës. Komiteti Teknik i Gjyqtarëve në Spanjë ka miratuar një sërë ndryshimesh, të testuara fillimisht në Botërorin 2026, me synimin për ta bërë futbollin më të shpejtë dhe me më pak polemika.
Një nga risitë kryesore lidhet me zëvendësimet. Futbollistët që dalin nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda kohë për të lënë lojën, në të kundërt do të përballen me ndëshkime për humbje të qëllimshme kohe.
Rregulla të reja janë vendosur edhe për portierët. Nëse loja ndërpritet për një dëmtim të tyre, një lojtar i fushës duhet të largohet për të paktën një minutë, për të shmangur ndërprerjet taktike.
Ndryshime ka edhe në ekzekutimin e penalltive me prekje të dyfishtë të topit, pas polemikave të krijuara sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve.
Paketa e re parashikon gjithashtu ndëshkime më të forta për skuadrat që vonojnë rifillimin e lojës, ndërsa kompetencat e VAR-it zgjerohen ndjeshëm. Sistemi do të mund të ndërhyjë edhe për kartonin e dytë të verdhë, identifikimin e gabuar të lojtarëve, goditjet nga këndi të akorduara gabimisht dhe faullet në aksionet që çojnë në gol.
Me këto ndryshime, autoritetet spanjolle synojnë të reduktojnë debatet dhe të rrisin drejtësinë në vendimmarrjen e gjyqtarëve.






