Hetimet për të shtënat me armë pranë bregut të Palasës kanë marrë një tjetër kthesë. Sipas të dhënave paraprake, jahti luksoz në pronësi të Bruno Çelës kishte mbërritur nga Italia vetëm pak çaste para se të jepej alarmi për krisma në det.

Pas sinjalizimit të pushuesve, Policia Kufitare ndërmori një operacion që zgjati rreth dy orë dhe ndaloi jahtin pranë Himarës. Në bord ndodheshin katër persona, mes tyre Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, si dhe biznesmeni Pashk Gjini.

Gjatë kontrollit nuk u gjet asnjë armë zjarri, ndërsa të katër personat mohuan të kenë qëlluar. Ata u shoqëruan, u morën në pyetje dhe më pas u lanë të lirë me urdhër të prokurorit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se u janë marrë mostra nga duart për ekspertizën e mbetjeve të barutit, rezultatet e së cilës priten në ditët në vijim.

Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë disa pista, përfshirë mundësinë që të shtënat të jenë kryer nga persona që mund të kenë hipur në jaht gjatë lundrimit ose edhe nga një mjet tjetër lundrues që ndodhej pranë në momentin e incidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu