Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka shpallur “non grata” për një periudhë 10-vjeçare dy shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Valon Belën dhe Bekir Halimin.
Sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, dy personat dyshohen se janë përfshirë në veprimtari që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për shtetin shqiptar. Për Valon Belën është lëshuar gjithashtu një urdhër dëbimi nga territori i Shqipërisë.
Autoritetet bëjnë me dije se vendimi është bazuar në informacionet e përcjella nga shërbimet informative të shtetit, të cilat kanë evidentuar lidhje të tyre me aktivitete të konsideruara të dëmshme për interesat kombëtare.
Ministri Lamallari kishte deklaruar një ditë më parë se Ikballe Huduti Berisha nuk ishte i vetmi person i shpallur i padëshiruar për arsye të sigurisë kombëtare.
Në muajin qershor, Ministria e Brendshme shpalli “non grata” për 15 vjet edhe Ikballe Huduti Berishën, e cila u akuzua për lidhje me regjimin iranian dhe për veprimtari që cenojnë interesat e Shqipërisë.






