
Situata e krijuar nga zjarret në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq është vënë nën kontroll pas një operacioni intensiv të Forcave të Armatosura, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturave vendore.
Në operacion u angazhuan njëkohësisht tre helikopterë të Forcave Ajrore, të cilët kryen ndërhyrje të pandërprera nga ajri për të izoluar dhe shuar vatrat e zjarrit.
Sipas autoriteteve, puna e koordinuar mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe strukturave lokale bëri të mundur frenimin e përhapjes së flakëve dhe vendosjen e situatës nën kontroll.
Autoritetet theksojnë se çdo ndërhyrje kishte si objektiv mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe sipërfaqeve natyrore të rrezikuara nga zjarri.
Në përfundim është shprehur mirënjohje për pilotët, efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikësit dhe të gjithë personelin e angazhuar në operacion, të cilët vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për përballimin e çdo emergjence.






