
Zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës nuk kanë zhbllokuar ende procesin e formimit të institucioneve, megjithëse Lëvizja Vetëvendosje shprehet optimiste për rifillimin e dialogut me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cilësoi rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së si një zhvillim pozitiv, duke deklaruar se tashmë mund të vazhdojnë takimet mes partive për arritjen e një konsensusi mbi zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Ajo theksoi se nevojitet seriozitet nga të gjitha palët për të zhbllokuar procesin.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se partia nuk ka marrë ende asnjë ftesë nga Vetëvendosje për vazhdimin e bisedimeve. Sipas saj, çdo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi parime dhe program, ndërsa ndarja e posteve është çështje dytësore.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmoi se nuk do të bëhet pjesë e një qeverie me Vetëvendosjen. Vlora Çitaku tha se PDK do të qëndrojë në opozitë, por shtoi se është e gatshme të bashkëpunojë për çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe interesin publik.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbajti të njëjtin qëndrim. Deputeti Besnik Tahiri deklaroi se AAK nuk synon të bëhet pjesë e qeverisë dhe nuk është e interesuar për poste, pavarësisht deklaratave të mëparshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për këtë parti.






