
Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, ka kundërshtuar draftin e paraqitur nga Partia Socialiste për ndarjen e re territoriale, duke e cilësuar atë një projekt politik dhe jo institucional.
Në një reagim në rrjetet sociale, deputeti demokrat deklaroi se propozimi nuk është produkt i punës së Komisionit, por një nismë e njëanshme e mazhorancës, e paraqitur pasi mandati i Komisionit kishte përfunduar.
Sipas Boçit, drafti nuk është reformë territoriale, por një “Hartë elektorale 2.0”, e ndërtuar për interesa politike dhe matematikë votash, ndërsa e cilësoi atë si “një thikë pas shpine ndaj qytetarëve dhe territorit”.
Ai pretendon se Komisioni nuk miratoi asnjë variant të hartës, nuk votoi asnjë raport dhe nuk arriti në përfundime të përbashkëta, ndërsa akuzoi mazhorancën se dështoi të zhvillonte konsultime reale me grupet e interesit, shoqatat e bashkive, organizatat ndërkombëtare dhe komunitetet lokale.
Boçi kritikon gjithashtu mungesën e një metodologjie të qartë për përzgjedhjen e bashkive që do të shkrihen, duke thënë se nuk janë publikuar kriteret, pesha e indikatorëve apo analizat krahasuese që justifikojnë uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Sipas tij, problemi i shpopullimit dhe pabarazive territoriale nuk zgjidhet duke reduktuar numrin e bashkive, por duke rritur kompetencat, financimin dhe autonominë e pushtetit vendor.
Deputeti demokrat argumenton se drafti bie ndesh edhe me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, të cilat, sipas tij, kërkojnë forcimin e decentralizimit dhe jo centralizimin e mëtejshëm të pushtetit lokal.
Në reagimin e tij, Boçi vë në pikëpyetje edhe konsultimin publik të zhvilluar nga mazhoranca, duke theksuar se 3.500 pjesëmarrës nuk mund të konsiderohen konsultim kombëtar për një vend me rreth 2.4 milionë banorë.
Në përfundim, ai shprehet se ndryshimi i hartës administrative duhet të bëhet vetëm mbi bazën e një marrëveshjeje të gjerë politike dhe, sipas tij, në përputhje me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke kërkuar zhvillimin e një referendumi për bashkimin ose ndarjen e territoreve.






