Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e edukatores së një kopshti privat në Tiranë, e dyshuar për ushtrim dhune ndaj një fëmije 2-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në kopshtin privat “Lala”, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në zonën e ish-Kinostudios. Në pranga është vënë Brunilda Haxhiu, 32 vjeçe, pas kallëzimit të bërë nga babai i të miturit, i cili kishte konstatuar shenja dhune në fytyrën e djalit të tij.

Fëmija u dërgua për ekzaminim mjekësor, ku u konstatuan skuqje në pjesën e veshit dhe nxirje në faqe.

Gjatë marrjes në pyetje, edukatorja ka pranuar se e kishte goditur me shpullë 2-vjeçarin. Sipas dëshmisë së saj, ajo e kreu veprimin pasi fëmija nuk po flinte dhe “nuk e duronte dot më”.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se edhe pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e kopshtit kanë dokumentuar momentin e ushtrimit të dhunës ndaj të miturit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu