
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, u ka bërë thirrje mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë të jenë më aktivë në rrjetet sociale për të luftuar dezinformimin dhe për të mbrojtur qytetarët nga këshillat e rrezikshme për shëndetin.
Përmes një mesazhi publik, Brataj theksoi se prania e mjekëve në platformat digjitale nuk duhet të ketë si synim promovimin personal apo të klinikave, por edukimin e publikut me informacion të bazuar në prova shkencore.
Sipas tij, rrjetet sociale janë kthyer në një nga burimet kryesore të informacionit shëndetësor, por aty po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë individë pa formimin e duhur, të cilët përhapin mite, frikë dhe këshilla që mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
Brataj pranoi se profesionistët që ekspozohen në rrjetet sociale përballen me kritika, sulme dhe keqkuptime, por theksoi se heshtja nuk është zgjidhje.
“Sa më shumë zëra të besueshëm të ketë në rrjet, aq më pak hapësirë do të mbetet për sharlatanët, pseudoshkencën dhe dezinformimin”, u shpreh ai.
Apeli i kreut të Urgjencës Kombëtare iu drejtua mjekëve, infermierëve, farmacistëve, psikologëve, studentëve të mjekësisë dhe kërkuesve shkencorë, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve nis edhe nga informacioni që ata marrin çdo ditë.






