
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka propozuar pesë ndryshime në Kodin Zgjedhor për të forcuar kontrollin mbi përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore, një problematikë e evidentuar edhe nga raporti i fundit i OSBE/ODIHR.
Gjatë tryezës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Celibashi tha se legjislacioni aktual ka boshllëqe që duhen plotësuar për të garantuar ndarjen mes shtetit dhe partisë në pushtet.
Propozimi i parë parashikon një përkufizim të qartë në Kodin Zgjedhor të “burimeve administrative dhe shtetërore”, ku të përfshihen fondet publike, asetet, automjetet, administrata, sistemet elektronike, bazat e të dhënave, faqet zyrtare dhe platformat institucionale në rrjetet sociale.
Së dyti, ai kërkon sanksionimin në ligj të parimit të neutralitetit institucional, duke përcaktuar qartë se institucionet publike nuk mund të përdoren për interesa elektorale.
Propozimi i tretë synon vendosjen e kufijve më të qartë për aktivitetet publike gjatë periudhës zgjedhore. Sipas Celibashit, duhet të ndalohen inaugurimet, promovimi i investimeve publike, prezantimi i projekteve të reja, shpallja e skemave të reja të subvencioneve dhe aktivitetet ceremoniale që mund të krijojnë avantazh elektoral.
Ndryshimi i katërt lidhet me komunikimin institucional. Kreu i KQZ-së kërkon rregulla të posaçme për përdorimin e faqeve zyrtare, rrjeteve sociale dhe materialeve të financuara nga fondet publike, duke i cilësuar ato si formën më të sofistikuar të përdorimit të burimeve administrative.
Propozimi i pestë parashikon forcimin e bazës ligjore të kontrollit, duke kaluar në Kodin Zgjedhor një pjesë të rregullave që aktualisht janë vetëm në aktet nënligjore të KQZ-së, për të shmangur interpretimet e ndryshme.
Celibashi theksoi se ndryshimet synojnë të krijojnë një filozofi të re rregullatore dhe më shumë siguri juridike për procesin zgjedhor.






