
Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas tërmetit të fuqishëm që goditi prefekturën Kumamoto, në ishullin Kyushu të Japonisë.
Sipas autoriteteve japoneze, tetë persona janë nxjerrë të gjallë nga qendra tregtare Aeon Mall, ku një pjesë e ndërtesës u shemb gjatë lëkundjeve. Katër prej tyre kanë marrë plagë të moderuara, një është plagosur lehtë, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike.
Ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga zjarrfikësit, policia dhe Forcat e Vetëmbrojtjes së Japonisë, kanë vijuar operacionet gjatë gjithë natës për të gjetur personat që dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.
Në një fabrikë letre në qytetin Yatsushiro, shembja e një oxhaku vrau dy persona n dhe nëntë të tjerë të zhdukur.
Tërmeti goditi zonën në orën 16:27 sipas kohës lokale. Agjencia Meteorologjike e Japonisë raportoi fillimisht magnitudë 7.1, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) e vlerësoi me magnitudë 6.8.
Lëkundjet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë për dhjetëra mijëra banorë, dëmtuan të paktën 45 struktura shëndetësore dhe rrëzuan pjesë të mureve të Kalasë historike të Kumamotos.
Kryeministrja Sanae Takaichi ka angazhuar 3.600 efektivë në operacionet e emergjencës, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë vigjilentë për pasgoditje të tjera, duke kujtuar se në vitin 2016 Kumamoto u godit nga një seri tërmetesh që shkaktuan 278 viktima.






