
Një shtetas shqiptar, i identifikuar nga mediat franceze si Ermal Beqiraj, është arrestuar në Francë pasi dyshohet se ka fluturuar në mënyrë të paligjshme mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin Seine-Maritime. Rasti po hetohet nga autoritetet franceze, të cilat nuk përjashtojnë as pistën e spiunazhit.
Sipas raportimit të Le Journal du Dimanche, Beqiraj pilotonte një avion të vogël civil dhe gjatë fluturimit zbriti në një lartësi prej rreth 3.500 këmbësh, nën kufirin minimal të lejuar mbi zonën e mbrojtur të centralit bërthamor.
Pas alarmit, Forcat Ajrore Franceze shoqëruan avionin deri në aeroportin e Albert, ku piloti u arrestua nga policia.
Mediat franceze raportojnë se Beqiraj është i njohur për autoritetet shqiptare dhe franceze për çështje që lidhen me mashtrim financiar, krim kompjuterik dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Sipas burimeve të cituara nga mediat shqiptare, ai është personi i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij. Hetuesit po verifikojnë nëse këto pajisje mund të lidhen me ndonjë mision të organizuar ose me veprimtari të tjera, ndërsa vetë Beqiraj ka deklaruar se kishte gabuar lartësinë e fluturimit dhe se në atë moment po fliste në telefon me nënën e tij.
Sipas raportimit, ai është dënuar me 7.000 euro gjobë për shkeljen e rregullave të fluturimit dhe më pas i është dorëzuar Zyrës Qendrore Franceze për Luftën kundër Krimit të Organizuar. Ndërkohë pritet të nisin edhe procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Centrali bërthamor i Penly konsiderohet një objekt me rëndësi strategjike për Francën, pasi aty po ndërtohen edhe reaktorët e rinj bërthamorë EPR-2, çka e ka bërë incidentin objekt të një hetimi të zgjeruar nga autoritetet franceze.






