Protesta para Kryeministrisë hyri në ditën e saj të 25-të, ku organizatorët ritheksuan kërkesat e shpallura dy ditë më parë dhe paralajmëruan përshkallëzim të aksionit nëse, sipas tyre, nuk do të ketë reagim nga qeveria.

Nga podiumi, protestuesi Arbër Lleshi rilexoi pesë kërkesat kryesore të lëvizjes, mes të cilave dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike 12-mujore, ndryshime kushtetuese e zgjedhore përmes referendumit, si dhe shfuqizimin e disa ligjeve që organizatorët i konsiderojnë në kundërshtim me interesin publik.

Lleshi deklaroi se protesta mund të përshkallëzohet deri në bllokimin e institucioneve, nëse, sipas tij, zyrtarët e korruptuar vijojnë të qëndrojnë në detyrë.

Gjatë tubimit pati edhe kritika ndaj të dy figurave kryesore të politikës shqiptare. Një protestues deklaroi se Edi Rama dhe Sali Berisha kanë alternuar pushtetin për 36 vite, ndërsa një tjetër e cilësoi kreun e PD-së, Sali Berisha, si përgjegjës për përçarjen mes veriut dhe jugut.

Në protestë foli edhe Erjona Paruca Melani, soprano në Operan e Bordosë, e cila tha se kishte ardhur posaçërisht nga Franca për t’iu bashkuar tubimit.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës, ndërsa një grup prej tyre vendosën të kalojnë natën përpara godinës së Kryeministrisë, duke e cilësuar këtë një akt simbolik të vazhdimit të protestës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu