Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD ka përfunduar procesin e konstituimit të të gjitha institucioneve drejtuese, duke e cilësuar këtë një etapë të rëndësishme të ripërtëritjes së partisë.

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha u shpreh se përbërja e re drejtuese përfaqëson kombinimin më të mirë të eksperiencës, profesionalizmit, të rinjve dhe grave.

“Me këtë ekip, Partia Demokratike ka një formacion që nuk e ka pasur kurrë më parë. Është ekipi më i epërm në historinë e kësaj partie për nga kompetenca, eksperienca dhe formimi profesional”, tha Berisha.

Ai theksoi se në strukturat e reja janë përfshirë figura me eksperiencë të gjatë politike dhe profesionale, por edhe përfaqësues të brezit të ri, në zbatim të frymës së Kuvendit Kombëtar.

I pyetur për kritikat se procesi i ripërtëritjes nuk ka prekur të gjitha nivelet drejtuese, Berisha u përgjigj se çdo anëtar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, por theksoi se zgjedhjet po zhvillohen me votim të fshehtë dhe me kandidatura alternative.

Kreu i demokratëve bëri të ditur gjithashtu se procesi i ndryshimeve në parti nuk përfundon këtu, duke lënë të hapur mundësinë për lëvizje të tjera, përfshirë edhe drejtuesit politikë në qarqe.

Në fund, Berisha akuzoi mazhorancën për mungesë demokracie të brendshme, duke e krahasuar procesin e votimit në PD me mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu