Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të rëndë që përfshiu një pallat 10-katësh në qytetin e Antverpës, në Belgjikë.

Zjarri shpërtheu rreth orës 10:00 me orën lokale në lagjen Linkeroever, ndërsa tymi i dendur u përhap me shpejtësi në katet e sipërme të godinës ku jetojnë më shumë se 200 banorë.

Pamjet e publikuara tregojnë një banor që shpëton duke kaluar nga ballkoni i apartamentit të tij në dritaren e fqinjit, për t’u larguar nga tymi i zi.

Shërbimet zjarrfikëse evakuuan 80 apartamente dhe kontrolluan banesë pas banese për të gjetur persona të bllokuar. Sipas autoriteteve, tymi i dendur e bëri shumë të vështirë operacionin e shpëtimit.

Policia belge njoftoi se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një defekt teknik në katin përdhes të ndërtesës.

Banorët treguan se u detyruan të izoloheshin në ballkonet e tyre derisa zjarrfikësit i shpëtuan me shkallë speciale.

Kryeministri belg Bart De Wever shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe banorët e evakuuar, ndërsa Parlamenti Flamand e nisi seancën me një minutë heshtje në nderim të personave që humbën jetën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu