
Kancelari i Austrisë, Christian Stocker, ka rikonfirmuar mbështetjen e Vjenës për integrimin europian të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Politike të Partive Popullore, Stocker tha se Austria mbështet plotësisht Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet që i cilësoi si pararojë të procesit të zgjerimit.
“Shqipëria është në rrugën e duhur. Austria mbështet plotësisht të dyja vendet pararojë në këtë rrugë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Mali i Zi dëshiron të përfundojë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur për të qenë shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028, por metrat e fundit janë shpesh më të vështirat”, u shpreh kancelari austriak.
Stocker theksoi se zgjerimi nuk është vetëm një proces teknik, por lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen, sigurinë dhe besueshmërinë e Bashkimit Europian.
“Evropa duhet të mbajë premtimet e saj ndaj vendeve kandidate. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë, të gjejnë kompromise dhe të mbështesin kandidatët për anëtarësim për të zbatuar reformat”, deklaroi ai.
Në përfundim, kancelari austriak nënvizoi se Austria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se edhe Kosova duhet të ketë një perspektivë të besueshme europiane.






