
Një shtetas australian është arrestuar dhe akuzohet për vrasjen e një vajze 17-vjeçare në Tajlandë, pasi trupi i saj u gjet i futur në një valixhe të braktisur pranë një linje hekurudhore në qytetin bregdetar të Pattayas.
Sipas policisë tajlandeze, 37-vjeçari Simon Peter Carman u arrestua në aeroportin ndërkombëtar Suvarnabhumi të Bangkokut, teksa dyshohet se po përgatitej të largohej nga vendi.
Hetimet tregojnë se adoleshentja, e identifikuar nga mediat lokale si Tunchanok Donhomla, ishte raportuar e zhdukur pasditen e së premtes. Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas policisë, tregojnë Carman duke hyrë në një apartament me vajzën, ndërsa më vonë del i vetëm duke transportuar një valixhe të madhe, të cilën e ngarkon në një motoçikletë dhe largohet drejt zonës ku më pas u zbulua trupi.

Rreth 15 minuta pas arrestimit të tij në aeroport, autoritetet gjetën trupin e pajetë të 17-vjeçares brenda valixhes.
I dyshuari ka mohuar akuzat për vrasje, si edhe akuzat për fshehjen e trupit dhe përfshirjen e një të miture për qëllime seksuale. Ai pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje.
Në një video të regjistruar gjatë ndalimit, Carman iu drejtua familjes së viktimës duke thënë: “Më vjen keq për atë që i ndodhi vajzës suaj. Ishte jashtë kontrollit tim.”
Babai i viktimës u shpreh se është “thellësisht i pikëlluar” nga humbja e së bijës, ndërsa njerka e saj kërkoi që autori i dyshuar të përballet me “pasojat maksimale të ligjit”.






