Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rritur në të paktën 1.430 të vdekur, ndërsa 3.238 persona janë plagosur. Mijëra ekipe shpëtimi vijojnë kërkimet mes rrënojave, edhe pse shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen me kalimin e orëve.

Sipas autoriteteve, dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur, kryesisht në shtetin bregdetar La Guaira, zona më e goditur nga lëkundjet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që ndodhën me më pak se një minutë diferencë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje me ndihmën e ekipeve ndërkombëtare nga Meksika, Brazili, Turqia, Panamaja dhe vende të tjera. Në orët e fundit u nxorën të gjallë dy djem 11-vjeçarë nga rrënojat, duke rikthyer shpresën për familjet që ende presin lajme për të afërmit e tyre.

Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se dëmet direkte materiale arrijnë në rreth 6.7 miliardë dollarë, ose afërsisht 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Venezuelës. Ekspertët theksojnë se 48 deri në 72 orët e para janë vendimtare për gjetjen e të mbijetuarve, megjithëse në raste të rralla shpëtimet mund të ndodhin edhe pas këtij afati.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu