
Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale ka thirrur zyrtarisht kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, për të marrë pjesë në dëgjesën publike që do të zhvillohet më 30 qershor, në kuadër të konsultimeve për reformën administrativo-territoriale.
Bashkëkryetari i komisionit, Arbjan Mazniku, deklaroi se ftesa i është dërguar Bashkisë së Tiranës dhe se është institucioni ai që duhet të marrë masat për të siguruar praninë e kryetarit të zgjedhur.
“Ne kemi vendosur një standard. Nuk kemi dëgjuar nënkryetarët, edhe kur kanë qenë të deleguar. Ftesa i dërgohet institucionit dhe ai duhet të marrë masat që të përfaqësohet nga personi që ka tagrin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë”, u shpreh Mazniku.
Sipas burimeve nga Komisioni, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka refuzuar të marrë pjesë në dëgjesë, me argumentin se nuk është një e zgjedhur nga qytetarët. Pas këtij qëndrimi, Komisioni i ka kërkuar Bashkisë që të njoftojë Erion Veliajn për pjesëmarrjen në seancën dëgjimore.
Mazniku bëri me dije se data e dëgjesës është caktuar për 30 qershor, ndërsa po diskutohet ende vendi dhe ora e zhvillimit të saj.
“Dëgjesa për qarkun Tiranë do të mbahet më 30 qershor. Po diskutojmë vendin dhe orën, që pritet të jetë rreth orës 17:00 ose 18:00, në një ambient që mund të përballojë interesin e lartë publik”, tha ai.
Tirana konsiderohet dëgjesa më e rëndësishme në kuadër të procesit të Reformës Territoriale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të garantohet prania e Erion Veliajt, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.






