Një tjetër incident i rëndë është shënuar në Akademinë e Sigurisë, ku rreth 30 kursantë kanë përfunduar në spital pasi shfaqën simptoma të dyshuara helmimi ushqimor.

Sipas informacioneve paraprake, mbrëmjen e së mërkurës kursantët kanë shfaqur të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Ata janë transportuar në grupe drejt spitalit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ngjarja vjen vetëm rreth dy muaj pasi 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u helmuan në një episod të ngjashëm, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi sigurinë ushqimore në këtë institucion.

Pas rastit të fundit, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Dyshimet e para lidhen me një helmim nga ushqimi.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) pritet të marrë mostra të ushqimeve të konsumuara nga kursantët, për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të gjithë kursantëve apo rezultatet paraprake të hetimeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu