Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të shtunë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar në një takim të zgjeruar në Pallatin e Brigadave, ku në qendër të diskutimeve do të jenë integrimi europian, investimet strategjike dhe reforma territoriale.

Sipas axhendës zyrtare, mbledhja do të hapet nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryeministri Rama. Pika e parë e diskutimeve do të jetë ecuria e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Një nga temat më të nxehta pritet të jetë investimi në Zvërnec dhe interesi i shprehur për zhvillimin turistik në ishullin e Sazanit, çështje që ka shkaktuar debate të forta politike dhe protesta gjatë javëve të fundit.

Në axhendë është përfshirë edhe reforma territoriale, ku bashkëkryetari i komisionit përkatës, Arbjan Mazniku, do të informojë deputetët mbi ecurinë e deritanishme të procesit. Ndërkohë, Taulant Balla do të paraqesë një raport mbi detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar dhe performancën e deputetëve socialistë.

Mbetet për t’u parë nëse Rama do të komentojë zhvillimet e fundit politike brenda mazhorancës, përfshirë largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar socialist dhe debatet e krijuara pas reagimeve të Elisa Spiropalit për protestat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu