
Tensionet janë rikthyer sërish në Kuvend, duke detyruar kryeparlamentarin Niko Peleshi të ndërpresë për herë të tretë seancën plenare.
Përplasjet nisën kur deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe refuzuan të lirojnë hapësirën, duke kërkuar ndryshimin e rendit të ditës dhe diskutimin e protestave qytetare që po zhvillohen prej 18 ditësh, si dhe çështjen e Zvërnecit.
Situata u tensionua në momentin kur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pritej të mbante fjalën për konferencën ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe ecurinë e negociatave për anëtarësim.
“Zbato rregulloren, zbato procedurën”, dëgjoheshin të thërrisnin deputetët e opozitës nga foltorja, duke akuzuar drejtuesin e seancës për shkelje të procedurave parlamentare.
Gjatë debatit, deputeti Klevis Balliu pati përplasje verbale me kryeparlamentarin, i cili i tërhoqi vëmendjen për përdorimin e gjuhës fyese.
“Ju tërheq vëmendjen për përdorimin e fjalorit fyes dhe jo parlamentar. Ju lutem lironi foltoren se po shkelni rëndë rregulloren në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Peleshi.
Kreu i Kuvendit theksoi se seanca po pengohej pa arsye dhe se rregullorja nuk i jep opozitës të drejtën për të bllokuar punimet parlamentare.
“Deri tani do kishte folur ministri dhe gjysma e diskutantëve për procedurë. Lironi foltoren, ju kërkoni prishjen e seancës. Rregullorja s’ju jep të drejtë të prishni seancën”, deklaroi ai.
Pasi deputetët demokratë refuzuan të tërhiqeshin nga foltorja, Peleshi njoftoi ndërprerjen e punimeve dhe shpalli një pushim prej një ore.
Kjo është hera e tretë gjatë ditës që seanca plenare ndërpritet për shkak të tensioneve mes mazhorancës dhe opozitës.






