
. Për herë të parë, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, komentoi publikisht dezertimin e Marjana Koçekut, duke theksuar se ajo ishte ftuar t’i bashkohej ekipit socialist edhe pse nuk kishte qenë anëtare e PS-së.
Nga ambientet e Kuvendit, Balla tha se nuk sheh arsye për analiza të gjata politike lidhur me vendimin e deputetes, duke kujtuar se ajo ishte përfshirë në listat e socialistëve si pjesë e politikës së hapjes së partisë ndaj figurave të reja. Sipas tij, Koçeku mori pjesë në aktivitetet e PS-së deri në 35-vjetorin e partisë, ku u vlerësua edhe me medalje mirënjohjeje, ndërsa më pas deklaroi se nuk do të ishte më pjesë e grupit.
Socialisti i lartë mbrojti gjithashtu qasjen e kryeministrit Edi Rama për të afruar në politikë individë jashtë strukturave tradicionale të partisë. Sipas Ballës, që prej vitit 2017 Partia Socialiste ka ndërtuar një “koalicion me qytetarët”, duke i hapur dyert profesionistëve dhe figurave publike që nuk kanë qenë domosdoshmërisht anëtarë të saj.
I pyetur nëse do të ketë masa ndaj Koçekut, Balla tha se deri më tani nuk ka një kërkesë apo njoftim zyrtar për largimin e saj nga grupi parlamentar. Ai shtoi se ka tentuar të komunikojë me deputeten pas deklaratave të saj publike, por nuk ka marrë përgjigje. Sipas tij, çdo vendimmarrje duhet të ndjekë procedurat zyrtare të Kuvendit dhe të grupit parlamentar.
Balla theksoi se deputetët e zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste kanë marrë mandatin falë votës së elektoratit socialist, duke lënë të kuptohet se mbështetja e partisë ka qenë vendimtare edhe në rastin e Koçekut. Ai shtoi se kritika dhe vetëkorrigjimi janë pjesë e kulturës së PS-së, por nënvizoi se debatet e brendshme duhet të zhvillohen në rrugët institucionale dhe jo përmes rrjeteve sociale.






