Kreu i SPAK, Klodian Braho, e ka cilësuar procesin e Vettingut si një nga reformat më të rëndësishme për rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të këtij procesi.

Braho theksoi se Vettingu ndikoi drejtpërdrejt në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë dhe në rritjen e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Vettingu ndikoi në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë. Besimi i qytetarëve tek drejtësia nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale. Standardet e Vettingut reflektohen edhe në punën e përditshme”, u shpreh ai.

Sipas kreut të SPAK, procesi ka garantuar që gjyqtarët dhe prokurorët të kalojnë filtra të fortë integriteti, duke krijuar bazat për një sistem më të besueshëm dhe më profesional.

Braho falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e reformës, duke nënvizuar se për SPAK-un Vettingu ka pasur një rol të veçantë në forcimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm dhe paanshmëri. Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi kanë arritur pjekurinë e duhur”, deklaroi ai.

Në përfundim, kreu i SPAK theksoi se pas mbylljes së procesit të Vettingut, sfida kryesore mbetet ruajtja dhe konsolidimi i standardeve të arritura ndër vite.

“Tani duhet që të ruajmë standardet që kemi arritur”, përfundoi Braho.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu