Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 16 shtetas të tjerë në lidhje me protestat e zhvilluara në kryeqytet dhe bllokimin e akseve rrugore jashtë perimetrit të njoftuar për tubimin.

Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Policia bën me dije se po punohet edhe për shoqërimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim policor, E. Q. dhe M. C.

Nga veprimet hetimore rezulton se të proceduarit dyshohet se kanë nxitur pjesëmarrësit që të vijonin protestën përtej orarit të njoftuar zyrtarisht, nga ora 18:00 deri në 22:00, si dhe jashtë perimetrit të miratuar për zhvillimin e tubimit. Sipas policisë, këto veprime kanë sjellë bllokim të qarkullimit të automjeteve dhe pengesa në lëvizjen e qytetarëve.

Në njoftim thuhet gjithashtu se një pjesë e protestuesve janë futur në “fan zone”-n e ngritur në Sheshin Skënderbej për ndjekjen e aktiviteteve sportive, duke prishur qetësinë publike dhe duke u bërë thirrje qytetarëve të pranishëm që t’i bashkoheshin protestës.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në organizimin dhe zhvillimin e veprimeve të konsideruara të paligjshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Dy ditë më parë, Policia kishte nisur procedimin penal edhe për 19 persona të tjerë në lidhje me të njëjtat protesta.

Policia e Tiranës u bëri thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe perimetrin e miratuar për tubimet, me qëllim shmangien e bllokimit të trafikut dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu