
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka konfirmuar se aleanca do të reduktojë gradualisht praninë ushtarake në Kosovë, duke e kthyer misionin KFOR në nivelet para tensioneve të vitit 2023.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Rutte deklaroi se aktualisht KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë, ndërsa në të ardhmen numri i tyre pritet të ulet në 3.000 deri në 3.500 trupa.
“Në këtë moment KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo që do të bëjmë është të kthehemi në nivelet para vitit 2023. Varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa”, tha Rutte.
Sipas kreut të NATO-s, vendimi vjen si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar këtë zhvillim si një lajm pozitiv për rajonin.
Ai kujtoi se në janar NATO i dha fund dislokimit të forcave rezervë të vendosura pas tensioneve në veri të Kosovës dhe se aleanca po rishikon vazhdimisht pozicionimin e forcave të saj në terren.
Edhe NATO kishte njoftuar më herët se gjatë vitit të ardhshëm do të përshtatë gradualisht strukturën e KFOR-it. Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, deklaroi se stabiliteti i shtuar dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Kosovë krijojnë kushtet për optimizimin e misionit.
Pas këtij vendimi, edhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të rishikojnë kontributin e tyre në KFOR, në koordinim me NATO-n dhe bazuar në vlerësimet e sigurisë në terren.
KFOR-i u vendos në Kosovë në vitin 1999, pas përfundimit të luftës. Nga rreth 50 mijë trupa që numëronte fillimisht, misioni aktualisht përbëhet nga rreth 4.600 paqeruajtës nga 31 vende. Italia mban kontingjentin më të madh me 907 ushtarë, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 590 dhe Hungaria me 408 trupa.
Reduktimi i pranisë ushtarake konsiderohet sinjal i përmirësimit të situatës së sigurisë, megjithëse NATO ka theksuar se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe rajon.






