
Parlamenti Europian ka miratuar këtë të mërkurë raportin e progresit për Shqipërinë, duke i dhënë një mbështetje të fortë rrugëtimit europian të vendit.
Raporti u miratua me 483 vota pro, 103 kundër dhe 70 abstenime, duke reflektuar një shumicë të gjerë në favor të avancimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, deklaroi se objektivi mbetet anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Raporti vlerëson progresin e Shqipërisë në procesin e reformave dhe nënvizon rëndësinë e vijimit të përpjekjeve në fusha kyçe, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, forcimi i institucioneve demokratike dhe përafrimi me standardet europiane.
Miratimi i raportit konsiderohet një sinjal pozitiv nga institucionet europiane për ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit dhe për perspektivën e saj europiane.
Raporti i plotë dhe rekomandimet përkatëse pritet të shërbejnë si udhërrëfyes për hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit.






