
Tubimi i kësaj të marte u karakterizua nga një rol më i madh i studentëve dhe të rinjve, të cilët morën drejtimin e fjalimeve dhe marshimit, pas tensioneve dhe përçarjeve të ditëve të fundit mes organizatorëve.
Një pjesë e konsiderueshme e reagimeve u fokusua te deklaratat e Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila një ditë më parë tha se autoritetet shqiptare kanë garantuar respektimin e standardeve mjedisore për projektin në Zvërnec.
“Garancitë nuk pijnë më ujë këtu. Anuloni ligjin, anuloni shkatërrimin dhe vendosni një moratorium”, deklaroi një biolog mjedisi gjatë protestës.
Një tjetër protestues iu drejtua drejtpërdrejt Komisioneres Kos, duke thënë se “garancia e qeverisë nuk vlen”, ndërsa shtoi se qytetarët kanë vendosur të “grisin kontratën 36-vjeçare me klasën politike”.
Në podium folën edhe studentë, pedagogë dhe artistë. Një student theksoi se protesta nuk është kundër investimeve, por kundër projekteve që sipas tij nuk janë transparente.
“Ne nuk jemi kundër investimeve. Jemi kundër investimeve jo transparente dhe kundër pasurimit të politikanëve dhe oligarkëve në kurrizin e qytetarëve”, tha ai.
Marshimi kaloi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, zonës së Lanës dhe Parlamentit, ku protestuesit hodhën akuza ndaj klasës politike, duke e cilësuar Kuvendin “parlament të krimit” dhe “parlament të shitur”.
Ndërkohë, organizatorët njoftuan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkesa kryesore mbetet anulimi i projektit në Zvërnec dhe largimi i qeverisë.






