
Kombëtarja e Kepit të Gjelbër shkaktoi një nga befasitë më të mëdha të Botërorit 2026, duke ndalur në një barazim 0-0 favoriten Spanjë në ndeshjen hapëse të Grupit H.
Skuadra afrikane, që merr pjesë për herë të parë në një Kupë Bote, rezistoi për 90 minuta ndaj kampionëve në fuqi të Europës, falë një paraqitjeje heroike të portierit 40-vjeçar Vozinha, i cili u shpall edhe lojtari i ndeshjes.
Spanja dominoi zotërimin e topit dhe krijoi raste të shumta, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Ferran Torres goditi traversën në pjesën e parë, ndërsa në fund Mikel Oyarzabal u ndal nga një ndërhyrje vendimtare e mbrojtjes së Kepit të Gjelbër.
Në pjesën e dytë u aktivizua edhe talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, në ndeshjen e tij të parë pas rikuperimit nga dëmtimi, por as ai nuk arriti të zhbllokonte sfidën.
Madje, në minutat e fundit Kepi i Gjelbër iu afrua fitores, por portieri Unai Simon shmangu surprizën e plotë pas një goditjeje me kokë të Diney Borges.
Pika e fituar i jep shpresa të mëdha debutuesve afrikanë për kualifikimin në fazën me eliminim direkt, ndërsa Spanja do të kërkojë reagimin në ndeshjen e ardhshme ndaj Arabisë Saudite.






